”Pa” si parafjalë dhe si parashtesë

Shpeshherë, ose kur lexoj statuse të ndryshme, apo kur kam marrë ndër duar të korrektoj ndonjë libër të ndonjë poeti a shkrimtari, kam hasur në përdorimin e gabuar të parashtesës ”pa-” në gjuhën shqipe. Dihet se ”pa” si fjalë e shkëputur përdoret së pari si parafjalë e rasës kallëzore të emrave, por edhe si pjesëz mohuese para pjesoreve të foljeve: pa punuar, pa mësuar, pa ditur, pa lejuar, pa kënduar, pa folur, pa marrë, pa dalë, etj. Në disa raste ajo përdoret edhe si parashtesë në krijimin e fjalëve të reja sidomos mbiemrave, por edhe disa emra me karakter antonimik, d.m.th. me kuptim të kundërt që ndryshe mund t’i quajmë edhe antonime. Kjo vlen edhe për formimin e mbiemrave antonimë si:

i(e) vendosur – i(e) pavendosur; i(e) drejtë – i(e) padrejtë; i(e) përshtatshëm/e – i(e) papërshtatshëm/e; i(e) vlershëm/e – i(e) pavlershëm/e; i(e) bërë – i(e) pabërë; i(e) ndërgjegjshëm/e – i(e) pandërgjegjshëm/e; etj. Por edhe nga emri vendosmëri vjen emri pavendosmëri, si dhe disa emra të tjerë si: pashmangshmëri; papërshtatshmëri; pasiguri; padije; paaftësi; paanësi; pabarazi; paburrëri; padrejtësi; pandëshkueshmëri; etj. Në të gjitha këto raste, kur është në rolin e parashtesës, qoftë kur formohen mbiemrat, qoftë kur formohen emrat e rinj, parashtesa shkruhet së bashku me pjesën e fjalës që e pason si një fjalë e vetme, pse është një fjalë e vetme dhe e shkëputur qëndron vetëm nyja e përparme tek mbiemrat.

Këtu më poshtë po japim disa shembuj konkretë shkëputur nga statuse e libra të ndryshëm që kam pasur rastin t’i lexoj e korrektoj. Le të shohim shembujt e sjellë këtu më poshtë dhe t’i analizojmë:

-populli gjenial Hebre, kishte dhéné prova pér cilésiné e inteligjencés, karakterin aktiv dhe sublimacionin e pa shembullt né boté pér ekzistencén dhe progresin humanitar…

e pa shembullt: Këtu kemi një mbiemër të formuar me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë si fjalë.

Bota është e madhe,

Pa anë e pa fund,

Këtu është shkruar korrekt, pasi nuk është mbiemër i formuar me parashtesën pa-, por një emër i rasës kallëzore i shoqëruar me parafjalën pa. E solla si shembull për të treguar se jo kurdoherë duhet shkruar bashkë. Shiko rastin e mëposhtëm kur aty është mbiemër dhe duhet shkruar bashkë:

…..bashkë me to edhe ne, në verë me një qiell të kaltër të pa fund e bunacë të ëmbël,…Këtu pa- është parashtesë dhe duhej të shkruhej bashkë me fjalën fund.

Të tjerët janë ndryshe

Farisej të grabitjes, të gjakut dhe litarit

Të paudhë dhe të pa skrupuj

Ata që predikojnë

qëllimi justifikon mjetin

Në kupola të larta qeshin e zgërdhihen.

Në këtë fragment poezie kemi dy mbiemra të nyjshëm radhazi që janë formuar me parashtesën pa-, por në rastin e parë është shkruar korrekt, ndërsa në rastin e dytë jo.

… përmes bisedave në dukje “të thjeshta” dhe përfundimeve të çastit, kuptova veten time në raport me ta, me detin, pa të cilët do e ndjeja veten ashtu siç ndjehet një fëmijë: i brishtë në hapat e parë të jetës, ashtu siç ndjehet një anije : e pa fuqishme përballë dallgëve, kur ndodhet në avari. Këtu kemi një mbiemër të formuar me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë si fjalë.

….Nuk më hiqej nga mendja sipërfaqja e sheshtë e tij pambarim Këtu kemi një emër dhe parafjalën pa-, ndaj është dashur të shkruhej ndarazi e jo bashkë.

….Nganjëherë më duket si një lypës i pa ngopur,_ u përgjigj shpejt e shpejt Pjetri,_ i kënaqur që po i shkoja në drejtim të problemit të tij. Këtu kemi një mbiemër të formuar me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë si fjalë.

….Secili nga ne mundohej të fiksonte në kujtesë një llampë të ndezur afër rrugës, një dritare të hapur diku përgjysmë nga dora e dikujt që donte të na përshëndeste tinzit, fshehur me errësirën, një lëvizje në hije të cilën nuk e kishte dalluar mirë, një buzëqeshje të fëmijës që pa kuptuar mbetej ashtu, buzëqeshje lamtumire e pa fajshme në sytë e atyre që kishin fëmijë, një vizitë të pa bërë tek dikush a tek një i sëmurë, një shtëpi nga e cila sapo kishte dalë duke lënë mendueshëm gruan, një takim të pa realizuar ngaqë nuk u kujtuam, një diçka, mjaftonte të mbetej në kujtesë, aty në bregun e rrahur nga dallgët e era që do na mungonte disa ditë.

Në këtë fragment kemi disa fjalë të nënvizuara që po i analizojmë si më poshtë:

pa kuptuar – pjesore foljeje me pjesëzën e mohimit pa dhe është shkruar korrekt ashtu ndaras;

e pa fajshme – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë dhe jo ndaras;

të pa bërë – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë dhe jo ndaras;

të pa realizuar – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë dhe jo ndaras;

…..Bënte pjesë në ritualin e nisjes, sa herë vinte kjo orë e pa dëshiruar nga ne.Të gjithë linim diçka në breg. Ata që ishin të martuar linin dashurinë e ngrohtësinë e grave, (jo të gjithë…), ndonjë punë të papërfunduar, diçka na mungonte se s’bën. Ne të rinjtë linim e merrnim me vete ëndërrat, të qeshurat, takimet e vërteta e imagjinare, flokë të pa përkëdhelura të dikujt që na joshte por vetëm largohej si hije, fytyrën e ndonjë vajze që na kishte buzëqeshur diku, krejt kot, në autobuz apo në plazh, pa patur idenë më të vogël kush ishim, shumë rrena që i tregonim tjetrit për këtë e atë, këtu isha e këtë e bëra, për atë që do të bëj kur të kthehem por nuk e bëja kurrë. Në këtë pjesë kemi disa raste që i kemi nënvizuar dhe po i analizoj këtu radhazi: e pa dëshiruar – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë dhe jo ndaras;

të papërfunduar – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-dhe këtu është shkruar korrekt;

të pa përkëdhelura – mbiemër i nyjshëm që formohet me parashtesën pa-, ndaj duhej shkruar bashkë dhe jo ndaras;

pa patur – pjesore foljeje me pjesëzën e mohimit pa dhe është shkruar korrekt ashtu ndaras.

….Megjithatë po ti rikujtoj dhe njëherë se përsëritja është nëna e mërzisë por babai i mos harresës. Shembulli i fundit është analog me restet e temës. Pra do të duhej: imosharresës dhe jo ashtu siç ishte shkruar ndaras, pasi fjala mos është parashtesë dhe jo pjesëz mohimi siç mond ta marrë dikush, pavarësisht se takimi i s me h na krijon një keqkuptim shqiptimi, pasi s dhe h së bashku lexojnë sh.

Lini një koment