ANALIZË E SHKURTËR E LIBRIT REFLEKSION TË GAZMEND KRYEZIUT

Gazmend Kryeziu Refleksioni

Refleksion  

Refleksion është titulli i vëllimit poetik të poetit e prozatorit mjaft të spikatur Gazmend Kryeziu. Që në titull ka vulosur mesazhin që ka vendosur ta transmetojë tek lexuesi i tij dhe ky vëllim poetik vjen si një testament poetik i një parade me plot figura të shquara ku reflektohet patriotizmi i shquar i tij duke e sintetizuar historinë e lavdishme të popullit shqiptar. Pasqyrimi merr një kohështrirje ndërepokale ku figurat më të përmendura nga historia janë gdhendur artistikisht në vargje duke filluar që nga epoka iliro-pellazge e deri në ditët tona. Aty përfshihen jo vetëm ato figura të spikatura që historia i ka nënvizuar së bashku me të gjithë areolën e lavdisë së tyre, por edhe njerëz që kanë lënë gjurmë të dukshme e që historia e shkruar njëanshmërisht, jo vetëm që nuk i ka përmendur, por edhe ka hedhur mjaft pluhur e baltë mbi to. Poeti këtu ka marrë përsipër t’ua shkundë atë pluhur e t’ua heqë baltosjen qëllimkeqe të një epoke të errët që Shqipëria sapo e ka kapërcyer.

Aty vijnë figura jo vetëm nga lashtësia, siç është ajo e Teutes, por edhe figura anonime të epokës së sotme, siç është figura e Antigona Fazliu (Bukuroshja e lirisë, siç e cilëson ai), apo edhe figura të tjera të epokës sonë si Rifat Jashari, Vaçe Zela, Robert Elsie, Dritëro Agolli e mjaft të tjera figura, të njohura apo edhe të panjohura më parë si Mark Lula i Shalës, Aristidh Kola, Said bej Kryeziu, Ismet bej Kryeziu, Bedri Pejani e ndonjë tjetër. Mes këtyre ai na jep një galeri të tërë figurash emblematike si Nora e Kelmendit apo Jerina, princesha e Zadrimës, Ahmet Delia, Karl Gega, Marko Boçari, Teodor Kolokotroni, Francesco Krispi, Anastas Kullurioti, Leonik Tomei, etj. Në mes tyre, ai nuk lë pa portretizuar edhe mjaft figura botërore, jo vetëm ato që bënë emër që në lashtësi si Diomedi apo Enea, por edhe ato që punuan fort në jetën e tyre edhe për çështjen shqiptare si Edith Durham apo Madeleine Albright e ndonjë tjetër. Të gjitha këto figura të spikatura, i portretizon me ngjyra nga më të ndezurat e me shumë dashuri e pasion.

Ajo u ngrit me grushtin si shkëmb

Duke u betuar mbi gjakun ilir.

………

Se emri i saj nuk deshi lavdi.

Ajo krenohej për gjakun pellazg,

Prandaj ngrihej si shqiponjë, si perëndi.” shprehet ai kur portretizon Teutën, mbretëreshën ilire duke paraqitur një varg krahasimesh të bukura: si shkemb, si shqiponjë, si perëndi. Po kështu ka skalitur edhe figura të tjera të dashura që i lanë gjurmët e tyre të pashuara në kujtesën e madhe të shqiptarëve.

Si një flutur në podium ti del

Dhe publiku merr zjarr me nxitim.

Ti këngën si një muzë e lartëson,

Zëri engjëllor që s’ka çmim.

Në skena kur del, ndizet hareja

Dhe kënga jote me ta bëhet një.

Diçka në zemrat e tyre ka mbetur,

Diçka, që veç shpirti e ndien këtë zë.

Ti ishe zëri i lumturisë!

Ty edhe sot të mbajmë ikonë.

Edhe malet me zërin tënd krenohen,

Se Vaçe Zela emrin ta thonë!” që siç shihet, këtu plot dashuri dhe nderim, ka skalitur bukur figurën e artistes së shquar të muzikës shqiptare Vaçe Zela. Këtu ai ka derdhur pa kursim figura të bukura artistike si metafora e krahasime të bukura si: publiku merr zjarr; ndizet hareja; Ti ishe zëri i lumturisë; malet me zërin tënd krenohen etj, si dhe krahasimet e bukura: Si një flutur në podium ti del; Ti këngën si një muzë e lartëson, etj. Edhe kur përshkruan figurën emblematike të Mark Lulës të Shalës, jo vetëm që pasqyron tablo heroike, por edhe me shumë dashuri e portretizon atë:

Në gerxhe ti ngrite pusinë

Dhe Shala u ndez nga krisma e parë.

Kur ti ngrite zërin e lirisë,

Shala ngjyrë të kuqe kishte marrë.

Krajli dridhej, po vinte furtuna

Dhe syri nga bishat s’i dridhej aspak,

Tek hidhej mbi trupat e shkjaut plot klithma,

Tek binin si kërma të lyer me gjak.

Në këtë vëllim poetik, krahas figurave emblematike, ai ka përshkruar edhe mjaft figura të dashura për të siç janë figura e vëllait, motrës, nënës, babait, por edhe të asaj pjese më të ngushtë të familjes, siç është figura e vajzës, apo e shoqes së tij të jetës. Edhe këtu, krahas patosit të tij artistik, ka derdhur gjithë dashurinë dhe krenarinë e tij të ligjshme që ka dhe ndien për të. Ja si shprehet tek poezia Dashuria e Nanës:

A ka kufij dashuria e saj?

Po mençuria? Po veprat, a kanë?

Mallëngjehem nga pamja hyjnore,

Kur dëgjon fjalën nanë.

Një emër t’i vija mbretëreshës,

Në univers do kërkoja pa fund.

Dashuria e saj nuk ka emër,

As fillim, as mes, as fund.” një poezi ku himnizohet me shumë patos figura e pakrahasueshme, figura e nënës, figurë e madhërishme ku shpreh, jo vetëm dashuri tejet sublime, por edhe adhurim maksimal ndaj saj. Këtë figurë nuk mungon ta paraqesë edhe në raste të tjera në këtë vëllim poetik, madje që në hapje të këtij vëllimi poetik me poezinë Për ty, nënë, apo edhe tek Shenjtorja ime!, Shqiponja Kryeziu, etj.

Shumë të dashura për të janë edhe figura si ajo e vajzës apo edhe e motrës me të cilat kuvendon nga larg në distancë duke shprehur dashuri e adhurim për to. Po ashtu edhe figura e gruas, e vëllait, e babait, madje edhe ajo e gjyshit skaliten plot dashuri e adhurim. Tek poezia Tata, të cilën ia kushton gjyshit të tij, figurë të cilën e skali plot adhurim e madhështi, shprehet:

Tatë, e thërrisja gjyshin tim,

Buzqëshja e tij me kishte gëzuar.

Fytyra e tij më ngjante me Zotin,

S’e di se pse s’e kam kuptuar.

Sa herë më shihte, më jepte diçka.

Ai tek ikte, e ndiqja nga larg.

Kur zhdukej, rishfaqej si një engjëll,

Pastaj për dore silleshim përqark.

Papritur, një ditë u ngjit në qiell,

Imazhi i tij më ngriu në tru.

Tani mendohem, emrin t’ia gdhend,

I përmalluar i përulem në gju.

Në këtë vëllim poetik, megjithëse mundet ta quajmë edhe si një mozaik i historisë ku gurët e këtij mozaiku janë figurat nga më emblematiket dhe nga më të ndryshmet, qoftë ato shqiptare, qoftë ato nga bota, përsëri, krahas temës së familjes që e trajtuam më sipër, ka edhe plot motive të tjera e mes tyre edhe ato erotike. Kështu tek poezia Njëherë në mënyrë konçize përmes katër vargjeve të saj paraqet një tablo plot ngjyra:

Aty ku gjethet kanë heshtur,

Njëherë qëndronim aty.

Një puthje ma more si era,

S’e kuptova çfarë ndjeva për ty.

Megjithatë, dashuria e tij sublime nuk drejtohet vetëm ndaj njerëzve, apo figurave emblematike të shoqërisë, por edhe ndaj çdo gjëje të bukur shqiptare, siç është mikpritja dhe besa shqiptare, por edhe adhurimi për gjuhën amtare, adhurim të cilin e shpreh në disa raste e në disa dimensione. Ai, jo vetëm shpreh adhurim për këtë gjuhë hyjnore, por edhe kërkon e nxit që brezat ta mësojnë e ta flasin bukur, kudo qofshin ata. Kështu ai u kërkon vajzave të tij ta mësojnë e ta flasin këtë gjuhë të bukur e të adhurueshme sidomos tek poezia Amaneti im për Lilyn dhe Isabel.

Mësojeni gjuhën e perëndive,

Gjuhën që Pellazgët na trashëguan,

Gjuhën më të bukur në botë,

Gjuhën që armiqtë na e mallkuan!

Mësoni shkronjat hyjnore,

Se nuk ka me të bukur stoli!” lë ai si testament amanitin e tij. Po kështu, edhe tek poezia Unë frymoj shqip citon:

Kur hap gojën, copëza floriri dalin.

Janë fjalë hyjnore të shenjtëruara.

Me to u rrita, me to u zgjova,

Si lule bore, sot i mblodha.

Sa me fat jam, që shqip frymoj,

Këtë gjuhë, që t’parët na kanë trashëgu.

Këtë gjuhë të gjithë na e mallkuan,

Por jo! Kjo gjuhë nuk vdes ashtu.

Mjaft bukur ka paraqitur e portretizuar edhe racën e tij, racën e poetëve tek poezia Poetët:

Poetët janë të barabartë me perënditë,

Edhe pse të vetmuar janë.

Me shpirtin e tyre ndalin stuhitë,

Në zemrën e tyre botën kanë.

Ata janë të çiltër, bëjnë mrekullira

Me penën magjike, kurdoherë.

Me vagrjet e tyre bëjnë çudira,

Përshkruajnë dhimbjet ndonjëherë.” dhe këto ai i ka shpalosur

mjaft mirë në poezitë e tij të larmishme në mënyrë të përgjithshme.

Krahas figurave të spikatura nga jeta shqiptare dhe ajo e përbotshme të hershme e të kohës së sotme, nuk mungon të stigmatizojë edhe figura të urryera për të gjithë shoqërinë, siç është ajo e Putinit, apo ajo e gruas së diktatorit, Nexhmie Hoxhës të cilën e perifrazon me termin Kandrra e zezë.

Duke qenë se krijimtaria e tij përgjithësisht në këtë vëllim poetik ka më shumë të bëjë me portretizimin e figurave historike e shoqërore nga më të ndryshmet, për epizmin e tyre, përsëri aty nuk mbizotëron epizmi, përkundrazi, aty shfaqet lirizmi e në mjaft raste del edhe natyra romantike e këtij poeti. Këtë gjë ne e shohim në mjaft poezi, por mbi të gjitha tek poezitë përshkruese të natyrës me bukuritë e saj. Tek poezia Pishat e Hamalles na jep një kolorit të bukur natyror:

Ato vështrojnë hijerënda, krenare,

Deti me përmallim, majat e tyre vështronte.

Ato tundeshin pa gajle fare,

Mbi rërë një djalë, trupin e vajzës dëshironte.” e po kështu edhe tek poezia Në Goresbrook park na jep përsëri nuanca romantike të jetës shkrirë me një epizëm të lehtë:

Në Gorsbrook park bie muzgu,

Me të fshihen edhe puthjet e vajzave karshi.

Cigarja e fundit që fiket ngadalë

Dhe era e hashashit, nga vjen nuk e di.

Mbi barin e lagur dergjen flirtet,

Me puthje të tipit francez.

Ata s’kanë gajle për vesën që bie,

Njëri fik cigarën, tjetra e ndez.” ku duken edhe nota romantike, por edhe një sarkazëm e lehtë: Cigarja e fundit që fiket ngadalë

Dhe era e hashashit, nga vjen nuk e di”. Siç duket qartë edhe tek kjo poezi, romantizmi dhe epizmi gërshetohen dhe shkrihen

me njëra-tjetrën në mënyrë krejt organike.

Kjo gjë duket qartazi edhe në mjaft poezi të tjera, disa nga të cilat i kemi paraqitur edhe më sipër:

Në gerxhe ti ngrite pusinë

Dhe Shala u ndez nga krisma e parë.” shprehet ai tek poezia me titull Mark Lula i Shalës ku duket qartazi shkrirja e epizmit me romantizmin përshkrues të natyrës. Po kështu me nota mjaft romantike paraqitet edhe poezia Saranda.

Duhet nënvizuar se poeti Gazmend Kryeziu, duke qenë se punon e jeton në Angli e tashmë ka kryer edhe studime të larta në universitetet e Londrës, poezitë e tij, në një pjesë të tyre i vargëzon edhe në anglisht. Këtu, krahas motiveve të ndryshme poetike, vazhdon të plotësojë mozaikun me figura të shquara të historisë dhe të jetës shoqërore, gjë të cilën po ia lëmë lexuesit të tij ta eksplorojë.

Si konkluzion i përgjithshëm, mund të themi se poezia e tij është një poezi mjaft konçize, por me një frymëmarrje mjaft të gjerë ku shpalosen tablo të gjera të jetës së shoqërisë në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti. Më së shumti poezinë e tij e strukturon në varg të rimuar e herë-herë të grupuar në strofa, zakonisht në strofa katërvargëshe, po më së shumti paraqet poezinë monokollonë me varg të rimuar. Po ashtu ai nuk kursehet në figuracione letrare të shumta dhe të spikatura që poezisë i japin, jo vetëm kolorit e shprehje, por edhe vlera ideore mjaft të fuqishme. Poezia e tij është sa e drejtpërdrejtë, aq edhe meditative, dhënë përmes mesazhesh mjaft të fuqishme që kërkon të përçojë tek lexuesi.

Shpreh bindjen e plotë se ky vëllim poetik do të jetë mjaft i mirëpritur nga lexuesi i tij.

Tom Gjokhilaj

Një mendim mbi “ANALIZË E SHKURTËR E LIBRIT REFLEKSION TË GAZMEND KRYEZIUT

Lini një koment