Parathënie e librit PESHKATARËT të shkrimtarit LLESH DODA

”Peshkatarët” është romani i dytë i radhës i shkrimtarit dhe poetit Llesh Doda, por i shtati në radhën e botimeve, pas pesë vëllimeve poetike dhe romanit ”Mes dallgëve”. Është një roman ku ngjarjet renditen në një linjë të drejtë e pa shumë digresione e retrospektiva të veçanta. Ngjarjet zhvillohen brenda tri a katër ditësh dhe trajtojnë jetën e një grupi peshkatarësh gjatë një kohe peshkimi në Adriatik në muajin dhjetor…, në epokën e diktaturës komuniste në Shqipëri. Janë momente të veçanta, që jo shpesh lexuesit i takojnë t’i jetojnë, por as t’i mendojnë e këto e bëjnë mjaft interesant subjektin e këtij romani.

Të gjithëve na pëlqen të ushqehemi me prodhimet e detit, po kurrë nuk na shkon mendja se sa vështirësi e peripeci kalojnë ata që i sigurojnë dhe i sjellin deri tek tryezat tona ato prodhime e këto na i sjell në detaje Llesh Doda përmes ngjarjeve të këtij romani mjaft tërheqës për lexuesin. Janë tri ditë e katër net plot aventura ato që përmbledhin përpjekjet e atij grupi kolektiv për të gjuajtur stavridh, siç e quan ai një lloj peshku për të cilin kishin dalë në det në atë mes dhjetori që nis me ca ditë të bukura, por në fund e përmbyll me një furtunë e stuhi mjaft të rrezikshme për grupin e peshkatarëve, të cilët janë të detyruar ta ndërpresin peshkimin e ta lënë në mes pa e përfunduar sipas objektivave që kishin pasur para se të dilnin për peshkim.

Autori ka treguar deri në detaje, jo vetëm proceset e kësaj pune kolektive, por edhe produktet e asaj pune kalatë pas kalate duke na treguar edhe llojet kryesore të peshqëve që nxirrnin nga rrjeta në secilën kalatë. Na tregon edhe veçoritë e disa llojeve që aty shfaqen, sidomos të oktapodëve që shpesh edhe u vidheshin nga sytë dhe binin në det, por përshkruan edhe pulëbardhat që i shoqëronin gati krejt instinktivisht kur po fillonte të çohej rrjeta nga uji. Ato i përshkruan si ambasadore të përhershme që bënin lidhjen e atyre detarëve me tokën, me vendlindjen e me familjet e tyre si lajmëtare shpresëdhënëse për ta e nga kjo, autori, në rolin e rrëfimtarit, nuk mungon t’i ushqejë ekstra me ndonjë arkë peshk të rezervuar enkas për to.

Sipas rrëfimeve të peshkatarëve me njëri-tjetrin, autori ka treguar aty edhe copëza të shkëputura historish të ndryshme, jo vetëm ato që lidhen me detin e peshkimin, por edhe nga jeta e përditshme e tyre në tokë. Megjithëse janë copëza të shkurtëra e herë me lidhje me punën e tyre e herë të tjera pa ndonjë lidhje të veçantë mes tyre, përsëri ato e plotësojnë dhe e zbukurojnë mjaft mozaikun e subjektit të këtij romani.

Libri fillon me një dedikim nga ana e autorit në formën e një prologu ku na njeh, jo vetëm me dedikimin e tij kushtuar miqve të tij peshkatarë, por edhe me një panoramë të përgjithshme të qytetit të Shëngjinit të asaj epoke. Ajo panoramë, tashme krejt ndryshe në ditët e sotme, është paraqitur në detaje me të mirat e të këqijat e saj të asaj epoke, një paraqitje krejt muzeale nga ai.

Rrëfimi është trajtuar në vetën e parë dhe, krahas persiatjeve e përshkrimeve nga ana e autorit, më së shumti zënë vend mjaft dendur dialogjet mes atij grupi të vogël peshkatarësh. Dialogjet kanë rrjedhshmëri dhe shpesh janë edhe rrëfimtare për ngjarje të ndodhura në kohë të ndryshme, por edhe me ndonjë projekt i një të ardhmeje për ndonjërin prej tyre.

Personazhet vepruese të këtij romani janë tetë duke marrë në konsideratë atë grup peshkatarësh që veprojnë kolektivisht aty së bashku me njëri-tjetrin, por aty ka sjellë edhe disa personazhe të tjera aktivë e joaktivë të sjellë nëpërmjet rrëfimeve të atyre tetë personazheve që veprojnë në atë anije peshkimi në atë kohë kur tregohen ngjarjet nga autori. Nuk ka një personazh kryesor e personazhe të dyta në atë grup, por autori ka arritur t’i portretizojë secilin me tipare të veçanta e kolektive, gjithashtu. Aty nuk mungojnë tiparet fizike të përshkruara nga autori, por më së shumti ai i ka portretizuar përmes veçorive individuale morale që secili bën dallimin me të tjerët. Kapiteni njeri i matur e i vendosur, fjalëpakë dhe i drejtë me të gjithë pa bërë dallime. I pëlqen të pijë raki ”Juniperus”, siç e quan autori, por nuk jepet në asnjë rast i dehur.

Tiparet dalluese të tyre nuk jepen thjeshtë me përshkrimet e autorit të romanit, por edhe nëpërmjet veprimeve të tyre, ose më mirë të themi, nëpërmjet përshkrimit të veprimeve. Rroku, bie fjala, luan domino dhe bën hile në lojë, por zihet vazhdimisht me partnerin e tij të lojës edhe pse hiletë i bëjnë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Është tip hokatari, por rri i shtqetësuar gjithë kohës për fëmijën e tij që e ka lënë të sëmurë. Mark kuzhinieri tymos me cigare të dredhura gjatë gjithë kohës dhe nuk durohet prej të tjerëve era e duhanit që ai tymos, ndaj shpesh del në kuvertë për të tymosur pa shqetësuar të tjerët. Edhe atij i pëlqen të pijë ”Juniperos” si kapiteni dhe e shoqëron atë shpesh.

Harapi është më i vjetri, por nuk u shmanget punëve të rënda edhe pse shokët e tij mundohen t’i caktojnë punë më të lehta për t’i kryer. Edhe ky është fjalëpakë e gati nuk ndihet prezenca e tij aty. Shpesh kryen punën e kuzhinierit dhe gatuan mjaft mirë. Atë e zëvendëson në atë punë Mark kuzhinieri shpesh me urdhër të vetë kapitenit që i alternonte herë pas here kuzhinierët me qëllim që kurrë të mos mbetnin pa një të tillë në atë anije.

Vasili paraqitet enigmatik, ndërsa Martinit i pëlqen të mburret për të kaluarën e tij. Gjithashtu, edhe tiparet gjuhësore të tij, si dhe të Rrokut bëjnë dallime me të tjerët: Martini përdor shprehje karakteristike që pas çdo fjalie si zakonisht fut pasthirrmën ”burr”, ndërsa Rroku shpesh përdor shprehjen: ”Rroftu dreqi!”, apo ”Raftu pika!”. Kështu edhe Kapiteni, duke treguar edhe si origjinë malësore të tyre. Zydia parapelqen t’ia vënë në dukje se është shkodran dhe, nga ana tjetër, i pëlqen rregulli e pastërtia në ambientin ku punon. Shpesh e gjen me zorrën e ujit në dorë duke pastruar kuvertën e anijes nga mbeturinat e peshkut pas çdo kalate peshkimi si dhe në ambientet e kuzhinës e të mencës. Këtë punë e bën shpesh edhe motorristi të cilit i pëlqen mjaft të ketë rregull e pastërti në punë e kudo. Këtij të fundit i pëlqen të meditojë, herë me veten e tij e herë me të pranishmit. I pëlqen, gjithashtu, të mbajë ditar dhe shpesh mbyllet në dhomën e tij duke shkruar e hedhur në letër kujtime e meditime të ndryshme.

Në subjektin e këtij romani janë dhënë me doza të lehta edhe pikëpamjet kritike të autorit për sistemin diktatorial duke treguar mangësitë teknike, po edhe neglizhencat shtetërore për eleminim e mangësive. Sistemi burokratik në drejtim është trajtuar aty në ndonjë rast si diçka që krijon edhe probleme në punën e atyre që janë në ballë të punës dhe sakrificave, siç ishin peshkatarët. Kur disa mjete pune mungojnë, ose janë të amortizuara, ata që drejtojnë, thonë pothuajse vazhdimisht shprehjen: ”Nuk kemi” e ata janë të detyruar t’i riparojnë si të munden, shpesh edhe duke përdorur ryshfet tek ndonjëri, si zakonisht peshkun që zënë për të siguruar ndonjë pajisje të munguar. Bie fjala, Vlashi vjen nga Durrësi për ndonjë riparim, po kur kthehet andej, mbush ”zukun” plot me peshk. Edhe mjekët, kur ata peshkatarë kanë nevojë për vete, ose për familjarët e tyre, u kërkojnë peshk e nuk kanë të ngopur. Pra ka përshkruar aty edhe forma të veçanta korrupsioni.

Gjuha e përdorur nga autori është mjaft e zhdërvjellët dhe ka një diapozon të gjerë. Shpesh përdor frazën e shkurtër dhe të prerë, por nuk mungojnë frazat e gjata shtjelluese në mendime e ide, sidomos kur motorristi, në këtë rast, autori, mediton me vete duke paraqitur ëndërrat dhe dëshirat e tij. Madje, për këtë gjë, ai, jo vetëm që shprehet me shënime me shkrime në dhomën e tij të fjetjes, por e shpreh shpesh edhe me shokët e tij të punës, saqë ndonjëri prej tyre edhe mundohet t’ia shpreh si me ironi duke i thënë se ”shihte ëndërra me sy hapur”.

Në këtë roman janë ndërthurur stile të ndryshme të rrëfyeri e më së shumti përmes dialogjeve, por jo pak edhe mënyra e një ditari përshkrues të ngjarjeve ditore. Në një moment, autori ndalet dhe përshkruan shkurt secilin prej personazheve të këtij romani. Edhe digresionet e veçanta që paraqiten aty, jepen si rrëfime të peshkatarëve, sidomos nga Zydia kur flet për vrasjen barbare të kapiten Franit nga malazezët, apo ndonjë ngjarje gati komike që tregon Martini për kohën kur ishte marinar me katrat siluruese. Si stil rrëfimi autori ka zgjedhur edhe dedikimin të cilin e bën që në krye të herës, por nuk mungon ta bëjë edhe në ndonjë rast tjetër gjatë shtjellimit të ngjarjeve në brendi të romanit.

Si përfundim, mund të themi se ky roman, i përshkruar me një vërtetësi të kulluar, pa stërzmadhime të panevojshme, ka mjaft vlera njohëse për një epokë të shkuar, por edhe për një realitet krejt të ndryshëm nga jeta e përditshme e shumicës së njerëzve. Jo shumëkujt i bie radha të përballet me misteret e deti, apo të kryej një punë sa të vështirë aq edhe të rrezikshme edhe pse për ndokënd kthehet edhe në pasion. Ai ka paraqitur me realizëm, se atje mes detit situata mund ndryshojë nga çasti në çast. Nga një kohë mjaft e bukur e përshkruar me nota romantike të theksuara, kthehet në një makth e tmerr për ata që u ndodhen atje mes detit. Pra, ai na ka përshkruar, sa bukuritë romantike të një pamjeje të papërshkrueshëm të natyrës edhe pse në mes të dhjetorit, aq edhe peripecitë që u vijnë nga një ndryshim i papritur i motit.

                             Tom Gjokhilaj

Lini një koment